Purifikimi shpirtëror dhe fizik paraqesin dy koncepte mjaftë të rëndësishme për mirëqenien e njerëzve, e padyshim edhe në Islam vlerësohen shumë, kjo tregohet përmes ajeteve Kuranore e haditheve të profetit Muhamed alejhi selam, të cilat na japin mësime të vyera për jetesën në këtë botë dhe përgatitje për të ardhmen.
Purifikimi shpirtëror nënkupton devotshmërin që e tregojmë me anë të veprimeve tona. Islami, na jep udhëzime të qarta për të arritur këtë shkallë të lartë, kjo duke filluar nga obligimet e përcaktuara për besimtarët (pesë shtyllat e Islamit), si shqiptimi i njëshmërisë së Zotit, falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit dhe shkuarja në Haxh. Secila nga këto vepra, tregojnë për pastërti të besimtarit, sepse realizimi i tyre kërkon kushte specifike, kështu ndihmon që besimtari të jetë i vërtet në veprat e tij, të jetë i hapur, i sinqertë në raport me Zotin dhe të tjerët. E padyshim më kryesorja, i jep një qetësi shpirtërore, që projektohet në shëndetin dhe mirëqenien e individit. Allahu në Kuran thotë “Vërtet ka shpëtuar ai që e ka pastruar (shpirtin e tij) dhe ka dështuar ai që e ka ndotur” (Shems, 9-10), duke treguar që suksesi i vërtetë vjen përmes pastrimit të shpirtit nga mëkatet, hipokrizia dhe ndjenjat negative.
Purifikimi fizik është i një roli thelbësor në Islam. Madje, në një hadith, profeti Muhamedi alejhi selam thotë “Pastërtia është gjysma e besimit, duke treguar kështu se sa i rëndësishëm është higjena e një muslimani. Për shtyllat e Islamit, të përmendura më lartë, nevojiten kushte specifike që të realizohen, e ndër to është edhe pastërtia fizike përmes marrjes së abdesit apo guslit, kujdesit ndaj higjenes së përgjithshme të trupit dhe jo vetëm, por edhe të rrethit dhe vendit ku jeton. Në ajetin 6 të sures Maide, Allahu thotë “O ju që besuat! Kur të ngriteni për namaz, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat tuaja dhe lani këmbët tuaja deri në nyje. Dhe nëse jeni xhunub, pastrohuni plotësisht…”, duke përcaktuar rëndësin e abdesit dhe guslit për ruajtjen e higjenës dhe shëndetit trupor. Në një ajet tjetër të sures Muddeththir (ajeti 4), Allahu thotë “Dhe pastro rrobat e tua”, përmes së cilit vihet në pah edhe rëndësia e pastërtisë së rrobeve, si pjesë përbërëse e jetës së njerëzve.
Pra, Islami përmes këshillave dhe udhëzimeve, gjithmonë në të mirën e besimtarit, është kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi. Allahu në Kuran thotë “Vërtet, Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen” (Bekare, 222), një ajet kuranor i cili ngërthen të dy konceptet e diskutuara, duke treguar se pastrimi fizik dhe pendimi për gabimet, lidhen me njëra tjetrën duke patur ndikim edhe në shëndetin fizik dhe atë shpirtëror. Po ashtu, këto koncepte, të lidhura ngusht i shohim edhe te hadithi i profetit Muhamed alejhi selam “Kur një njeri merr abdes dhe pastrohet, Allahu i fal atij mëkatet që ka bërë me duar, këmbë dhe gojë, sa herë që ato janë pastruar”.
Pra, purifikimi fizik dhe shpirtëror janë rrugë drejt një jete të qetë, të shëndetshme e me shumë begati. Një person i pastër, përjeton harmoni të plotë, duke ndihmuar jo vetëm vetën, por edhe shoqërinë në përgjithësi.
Dr. Sadik Basha